Informatat

 

Gjësende të rrezikshme

  • Ligjet e të gjitha vendeve e ndalojnë për shkaqe sigurie marrjen me vete të gjësendeve të mëposhtme në bagazhin e dorëzuar ose në bagazhin e dorës: Çanta për dokumente me sistem të montuar alarmi
  • Lëndë eksplozive, fishekzjarrë, pishtarë
  • Mbajtës gazi, për shembull gaze ngacmuese, sprei për vetëmbrojtje, zierës kampimi
  • Mbajtës me lëngje të ndezshme, p.sh. benzinë për shkrepëse, ngjyra, llakëra, lëndë pastruese
  • Lëndë që ndizen lehtë, p.sh. shkrepëse (çibritë)
  • Substanca të cilat në kontakt me ujin zhvillojnë gazra të ndezshëm
  • Lëndë oksiduese, p.sh. pluhur zbardhës, superoksid
  • Lëndë infektuese dhe helmuese (toksike), p.sh. zhivë, kultura bakteriale dhe virale
  • Lëndë dhe gjësende radioaktive
  • Lëndë gërryese, p.sh. acide, alkale/baza, baktere të lagështa
  • Materiale me cilësi të forta magnetike
  • Aparatura që punojnë me benzinë dhe mjete puna të cilat tashmë kanë përmbajtur sasinë më vogël të benzinës (p.sh. për qëllime testimi)

 

 

Check-In
U rekomandohet pasagjerëve që, për fluturime me Europe Turist, mundësisht të paraqiten për përgatitje për fluturim dy orë përpara fluturimit të planifikuar, sepse sportelet mbyllen 30 minuta përpara nisjes. 

Dokumentet e udhëtimit
Pasagjeri është personalisht përgjegjës që të ketë me vete dokumente të vlefshme identifikimi, të cilat u përgjigjen rregullave të SWISS dhe të Europe Turist si dhe rregullave për hyrje në vend të secilit cak të fluturimit. Gjobat, dënimet me të holla, pagesat ose harxhimet e çdo lloji si pasojë e mospërfilljes së këtyre rregullave, duhet të barten nga vetë pasagjeri. Për të siguruar respektimin e rregullave, Europe Turist rekomandon që për të gjitha fluturimet të bartet me vete pasaporta e vlefshme (dhe, nëse është e nevojshme, edhe viza e vlefshme). 

Foshnjat & shoqërimi
Në qoftë se fëmijët udhëtojnë të pashoqëruar, atëherë vlejnë rregullat ndërkombëtare për të ashtuquajturit „Unaccompanied Minors (UM)“, në mënyrë që edhe pasagjerët e vegjël të mbërrijnë të sigurt në cakun e tyre. Për një udhëtim të tillë special, përgatituni me kujdes së bashku me fëmijën ose fëmijët tuaj. Udhëzim: për fëmijë të pashoqëruar nuk është e mundur të bëhet rezervimi online. 

SWISS i definon fëmijët e pashoqëruar si më poshtë: 

  • Fëmijë midis moshës 5 dhe 12-vjeçare; pa person shoqërues prej moshës 15-vjeçare
  • Fëmijë midis moshës 3 dhe 5-vjeçare; me person shoqërues midis moshës 12 deri në 15-vjeçare

 

Sipas dëshirës së prindërve përkujdesja mund të bëhet edhe për fëmijët midis moshës 12 dhe 18-vjeçare. Rezervimi i fluturimit është i mundur të bëhet vetëm nga prindërit ose nga personi që e pret në aeroport arritjen e fëmijës. Përgatisni të gjitha dokumentet e nevojshme për udhëtim. 

Njerëzit me të meta
Në aeroport ose në bord – SWISS i mbështet njerëzit me të meta me shumë shërbime dhe shërbime ndihmëse, varësisht nga situata. Në aeroportet e Zürich-ut dhe të Prishtinës për pasagjerët me të meta kujdeset personeli i shkolluar posaçërisht për këtë punë. Në shumicën e aeroporteve ju ofrojmë karroca invalidësh dhe mjete transporti me personel shoqërues, për nisje dhe mbërritje. Në aeroplanët tanë mund të hiqen mbështetëset për duar. Ju rekomandojmë pasagjerëve me karrocë invalidësh që të lajmërohen në sportelin Check-In 120 minuta para fluturimit.

 

Bagazhi i pataksuar
Kufiri i bagazhit të pataksuar për bagazhin e dorëzuar është 20 kg për pasagjer. Edhe fëmijët kanë të drejtë të kenë këtë peshë bagazhi. Ju rekomandojmë që të mos dorëzoni bagazhe të veçanta, të cilat kanë peshë më të rëndë se 32 kg. 

Mbipesha e bagazhit
Transportimi i bagazhit, i cili për nga pesha i tejkalon kufijtë e përcaktuar të bagazhit të pataksuar, bëhet me pagesë. 

Bagazhi i dorës
Për shkaqe sigurie si dhe për shkak të rehatisë, në kabinë lejohet të merret vetëm një copë bagazhi dore për person. Bagazhi i dorës guxon të ketë peshën maksimale 6 kg (8 kg për laptop), derisa përmasat nuk guxojnë të tejkalojnë 55 cm x 40 cm x 20 cm. 

Është e këshillueshme që në bagazhin e dorës të transportohen gjësendet me vlerë, medikamentet si dhe gjësendet që prishen lehtë ose që thyhen. Nga ana tjetër vlejnë udhëzimet rreth kufizimeve të përgjegjësisë, të renditura në vërtetimin e rezervimit të biletës. 

Tarifa e mbipeshës së bagazhit
Pesha më e lartë e lejuar e bagazhit tuaj të udhëtimit është e shënuar në biletën tuaj të fluturimit. Tejkalimet e këtyre limiteve konsiderohen si mbipeshë bagazhi. Në rast të këtillë, struktura tarifore kërkon një çmim shtesë. Ky çmim shtesë përcaktohet varësisht nga situata e konceptit të peshës apo numrit të pjesëve të bagazhit. 

Dëmtimi i bagazhit dhe humbja e bagazhit
Numrin më të madh të bagazheve të drejtuar gabimisht i gjejmë brenda 24 orësh. Mund të ndodh në raste të rralla që bagazhi të mos mund të gjendet as brenda pesë ditësh. Pastaj, zyra përkatëse „Lost & Found” fillon procedurën e dytë, të detajizuar të kërkimit. Në qoftë se bagazhi juaj i humbur nuk gjendet brenda pesë ditësh ose nëse ju keni pyetje në lidhje me bagazhin e drejtuar gabimisht, ju lutemi ta kontaktoni menjëherë qendrën tonë të kërkimit të bagazheve në Bernë: 

Swiss Central Baggage Tracing Office
Flughafen Bern-Belp
CH-3123 Bern-Belp
Telefon +41 58 582 50 60
Faks +41 31 960 21 47

 

Nënat që presin të lindin
Deri në javën e 36-të të shtatzënisë, përkatësisht deri katër javë para terminit të paraparë të lindjes, nënat që presin të lindin dhe që kanë rrjedhë të pakomplikuar të shtatzënisë, mund të udhëtojnë pa vërtetim gjinekologjik në aeroplanët e Europe Turist/ Swiss. Leja e posaçme për fluturim pas javës së 36-të shtatzënisë mund të merret vetëm nga mjeku i shtëpisë ose nga Shërbimi Mjekësor i Swiss. E njëjta gjë vlen në rast shtatzënie të komplikuar, si p.sh. në rast se nëna është shtatzënë me binjakë apo me më shumë fëmijë. 

Medikamentet
Me medikamente nëpër doganë: Nëse bartni në bagazhin e dorës medikamente dhe injeksione (injeksione insuline), është e këshillueshme të bartet me vete edhe një vërtetim mjeku, i cili vërteton që bëhet fjalë për material mjekësor që ju nevojitet personalisht. 

Humbja e medikamenteve: Për rastin që nëse ju humbin medikamentet gjatë rrugës ose në vendin e cakut, do të duhej të kërkonit nga mjeku që ju trajton që t’ua lëshojë një pasqyrë mbi grupin e gjakut tuaj dhe të dhënat tjera të rëndësishme medicinale, si dhe mbi dozimin e medikamenteve dhe emrat e tyre të gjenerikave (emra të lirë ndërkombëtarë të lëndëve mjekësore të pambrojtur ndërkombëtarisht nga e drejta e mallrave). Përveç kësaj, bartni me vete edhe dokumentet e nevojshme për trajtim ose për lëshim recetash. 

Medikamentet në bagazhin e dorës: Paketimi i medikamenteve do të duhej t’i përballonte goditjet dhe, sipas mundësisë, sasia e medikamenteve të shpërndahet nëpër disa bagazhe dore. Është e këshillueshme që të bartni në bagazhin e dorës një herë e gjysmë deri në dy herë më shumë medikamente sesa nevoja e pritshme për to. Sepse, në raste të jashtëzakonshme, fluturimeve nganjëherë u ndërrohet drejtimi ose nisja juaj shtyhet për një kohë më të gjatë – edhe nëse ju keni kohë që jeni ulur në aeroplan.

 
Aeroportet

Aeroporti i Shkupit

Aeroporti i Prishtines

Aeroporti i Tiranes

Aeroporti Zurich

MOTI

LIMISTUDIO